Policët në Kosovë në fund të muajit të kaluar morën pagat sipas Ligjit të Pagave që hyri në fuqi në fillim të muajit shkurt.
Por, atyre pagat iu dolën pa përfshirë rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera që iu takojnë.
Shkak i këtyre pakënaqësive, dje një javë Sindikata e Policisë së Kosovës kishte dalur me kërkesa ndaj Qeverisë duke i dhënë vetëm një javë afat kësaj të fundit për përmbushjen e kërkesave të tyre.
Në të kundërtën ata kanë thënë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet sindikale që u lejon ligji.
Por, vetëm një ditë pa kaluar ky afat Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kanë filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në sistemin e ri të Ligjit për Pagat.
Nga MPB-ja kanë thënë se do të korrigjohen të gjitha vlerat e minusuara nga mospërputhjet, dhe do të kompensohen në mënyrë retroaktive.
E, gjithë kjo nga Sindikata e Policisë është marrë si përgjigje për ta.
Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
“Njoftimin që e ka lëshuar Ministria e Punëve të Brendshme dje, dhe ne e kemi konsideruar si përgjigje edhe për neve duke u bazuar në atë. Ka pasur një vendim të Qeverisë më datën 16.02.2023 mirëpo komunikata e djeshme neve na ka ardhë si përgjigje se është duke u punuar në këtë drejtim. Brenda menaxhmentit policor janë duke punuar dy komisione edhe për shtesën edhe për rrezikshmërinë , edhe për shtesa të veçanta për punë të veçantë dhe i kanë dorëzua kërkesat para dy apo tri ditëve e po ashtu edhe sot kanë me i dorëzua kërkesat menaxhmentit”, është shprehur Zeqiri, për Front Online.
Sipas Zeqirit, me njoftimin që ka lëshuar kjo ministri i bie që kanë filluar të punojnë në përmirësimin e gabimeve që kanë bërë në Ligjin e Pagave.
“Duke u bazuar në komunikatën që e kanë lëshuar MPB-ja ku thotë se kanë filluar edhe këta me formua një komision që ka filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u bazuar në sistemin e vjetër dhe në këtë që ka filluar së zbatuari në muajin shkurt meqë rrjedh nga pasojat juridike të hyrjes në fuqi të ligjit aktual të Pagave , prandaj e kemi marr si përgjigje për shkak se vetëm kanë filluar të punojnë në përmirësimin e gabimeve që i kanë bërë në Ligjin e Pagave”, ka shtuar ai.
Thotë se kanë marrë premtime që shtesat për rrezikshmëri dhe ato për punë të veçantë që s’janë paguar në muajin shkurt do të dalin më pagën e muajit mars.
“Sa i përket punës për rrezikshmëri në Policinë e Kosovës dhe shtesave për punë të veçantë kjo do të respektohet në fund të muajit me pagën e muajit mars e që kemi premtime konkrete se do të paguhet edhe shtesa për rrezikshmëri, do të ketë edhe një shtesë për punë të veçantë e që është fjala për pjesën e stafit civil në kuadër të Policisë e që edhe ata kanë qenë të pakënaqur me pagën e muajit shkurt”, ka deklaruar Zeqiri.
Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Kështu kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt.
Ligji i pagave në Kosovë ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.


