Lajme

Zënka që ia mori jetën, si erdhi deri te vrasja e 25-vjeçarit në Mitrovicë?

10/30/2021 14:07
nga:M K

25-vjeçari me inicialet A.M, është therur për vdekje, pas mesnatës në Mitrovicë.

Të dyshuar për vrasjen janë Lundrim Beqiri dhe A.Z, të cilët ndodhen në arrati.

Lundrimi është edhe vëllai i Valdrin Beqirit, personit që e kishte vrarë një student me kallashnikov para 5 viteve.

Një zënkë mes tre personave ka përfunduar me vrasjen e një të riu në Mitrovicë. Viktima është një 25-vjeçar, me inicialet A.M.

Për vrasjen që u krye pas mesnatës, njoftoi Policia në raportin 24 orësh.

Në raport thuhej se fillimish i riu u dërgua për trajtim në Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe se më pas u transferua për në QKUK, ku edhe vdiq.

Fillimisht, Policia njoftoi vetëm se të dyshuar për vrasje ishin dy persona dhe që gjenden në arrati.

“Rr. Artim Jashari, Mitrovicë 30.10.2021-00:15. Është raportuar se viktima mashkull kosovar dyshohet se, pas një zënke- mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët gjenden në arrati. Viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Mitrovicë është transportuar në QKUK i cili duke mos u përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor.

Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport”, thuhej në raport.

Më vonë, Policia njoftoi se është bërë edhe identifikimi i të dyshuarve.

“Nga veprimeve të deritanishme hetimore, hetuesit policor kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale Vrasje”, thuhej në njoftim.

Express, nga burime brenda Policisë mëson se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e të riut është Lundrim Beqiri., vëllai i V.B., i arrestuar për vrasjen e një studenti me kallashnikov në afërsi të gjimnazit “Frank Bardhi”, në Mitrovicë, në vitin 2016.

L.B. i cili është vënë në kërkim të Policisë së Kosovës, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ka qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia e Kosovës.

Siç raportonte “Betimi për Drejtësi” në 2018-ën, L.B., ishte arrestuar gjatë vitit 2018 për armëmbajtje pa leje, në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Kjo kishte ndodhur gjatë kohës sa po mbahej gjykimi për vëllain e tij, i arrestuar për vrasjen me kallashnikov të një studenti në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë, teksa është e paqartë nëse i njëjti është dënuar për këtë vrasje.

Asokohe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, pati konfirmuar arrestimin e tij teksa pati dhënë detaje edhe për llojet e armëve që ai posedonte në momentin e arrestimit.

“Në orët e mesditës së sotme të datës 1 shkurt 2018, Policia në Mitrovicë ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe janë sekuestruar dy armë. Arrestimi i të dyshuarve L. B., 18 vjeçar dhe V. A., 21 vjeçar, është bërë në sheshin “Isa Boletini’’ në Mitrovicë, me ç’rast gjatë kontrollit të detajuar tek dy të dyshuarit në posedim janë gjetur dy armë të llojit pistoletë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin leje për armë. Dy të dyshuarve pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit u është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprën penale ‘mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armës”, pati thënë Zaiti në 2018-ën për arrestimin e L.B.

Varrimi i 25-vjeçarit do të bëhet sot. Familjarë të viktimës kanë njoftuar se varrimi i tij do të bëhet sot në orën 15:16 në varrezat e qytetit në Shipol.