Lajme

Zemaj: Vetëmenaxhimi krijon pushtet të ri në Kosovë – marrëveshja lojë e Kurtit dhe Vuçiqit

03/20/2023 12:42
nga:G B

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se kryeministri është dashur të raportojë për marrëveshjen e arritur në Ohër, që tha se është kundër Kosovës, raporton Gazeta Blic.

“Kryeministri është dashur që vetë të dalë dhe raportojë para të zgjedhurve të popullit, si përgjegjësi kushtetuese, për dialogun dhe për natën dhe takimin përfundimtar dhe për marrëveshjen e arritur, që për ne është në kundërshtim të plotë sipas kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Ai tha se të mërkurën dhe të enjten do të ketë seanca të Kuvendit.

Deputeti i LDK-së shtoi se marrëveshja e Ohrit është shpërfaqje e mashtrimit 15 vjeçar të Kurtit dhe VV-së

“Takimi i Ohrit e ka shpërfaqur mashtrimin 15 vjeçar të kryeministrit Albin Kurti dhe kauzave të VV-së. Aneksi do të na ndëshkojë shumë për detyrat që na janë dhënë. Por një njeri si Kurti nuk e ka problem që t’i zhbëjë të gjitha ato që ka thënë deri tani me një buzëqeshje”, u shpreh ai, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, vetëmenaxhimi i serbëve nënkupton krijimin e një pushteti të ri në Kosovë.

“Përtej obligimit për asociacionin, pjesa e vetëmenaxhimit nuk përkthehet ndryshe veç krijimin e pushtetit të ri në Kosovë, pa e siguruar njohjen dhe integrimin apo përafrimin e 5 njohjeve nga shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe ulësen në OKB”, deklaroi deputeti.

“Kjo është lojë e Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiqit me ndihmën e ndërmjetësuesve”, tha Zemaj./Gazeta Blic/