Armend Zemaj, deputeti i LDK-së, ka folur për seancën e sotme dhe qëndrimin e LDK-së për të mos votuar asnjë kandidat për deputet nga VV, raporton Gazeta Blic.
Ai në emisionin Adresa në Kanal10, tha se LDK ka pasur qëndrim të qartë dhe sot u faktua se VV ka qenë bllokuese.
“LDK ka pasur qëndrim të qartë, s’kemi hyrë në përmendjen e emrave. Është humbur kohë shumë deri tani nga Vetëvendosje. Subjekti i parë ka qenë bllokuesi, u faktua edhe sot me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por jo me konstituimin e kuvendit pasi tani jemi në një fazë që nuk dihet sa do të zgjasë”, u shpreh ai.
Sipas Zemajt, për kryetar të Kuvendit duhet pasur disa kritere, teksa tha se është kundër linqimeve që janë bërë në drejtim të Dimal Bashës.
“Është mirë që në përzgjedhjen e kryetarit t’i ketë disa elemente si përvoja politika, profili, që t’i gëzojë si përfaqësues i 120 deputetëve. Nuk pajtohem me linqime por ndoshta edhe z.Basha i ka kontribuuar me deklaratat e tij, më shumë ia ka krijuar vetvetes. Mendoj se duhet një person unifikues sepse ka rol të pakontestueshëm në situata kur ka kriza apo tensione”, theksoi deputeti, përcjell Gazeta Blic.
I pyetur nëse ka vdekur ideja e një opozite të bashkuar në qeveri kundër VV-së, ai tha se s’ka pasur rrugë të tillë, por që ata kën qenë kundër qeverisjes që është bërë në këto vite.
“S’kemi pasur rrugë ashtu siç është thënë edhe nga VV, ish opozita apo duke na vendosur në anën e Serbisë dhe Vuçiqit, por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, sidomos pas votës së PDK-së dhe të disa deputetëve nga AAK. Rrugët tona kanë qenë në një drejtim që ky pushtet ka bërë në këto katër vite, ka stagnuar vendi dhe është dëmtuar imazhi i Kosovës nga mos puna, paaftësia e tyre për të qeverisur”, deklaroi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj./Gazeta Blic/


