Lajme

Zemaj: Prokuroria e shtetit të angazhohet për të qartësuar se çfarë po ndodh në shëndetësi (VIDEO)

09/16/2022 23:52
nga:Astrit Gashi

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se do të ishte mirë që Prokuroria e Shtetit të angazhohet për të qartësuar se çfarë po ndodh në shëndetësi

Zemaj i ftuar në Edicionin Special të Klan Kosovës, ka folur për ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin, që sipas tij, nuk është i veshur me petkun e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Do të ishte e rrugës që prokuroria e shtetit ta shoh dhe ta trajtojë, se çka është duke ndodhur, a është për çështje korruptive, apo për çështje të mosdijes për të menaxhuar, apo është shpërfillje të ministrit, që siç duket se ky nuk është shumë i veshur me petkun e Lëvizjes Vetëvendosje, të jem i sinqertë, por është duke hasur në barriera të grupacioneve të cilat janë shndërruara të dëmshme”, ka thënë Zemaj.

Ai shtoi se që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti, nuk ka pasë asnjë ide për sektorin e shëndetësisë.

“Personi kyç është Albin Kurti, mashtrimi i ardhjes së tij në pushtet, po flas për sektorin e shëndetësisë, asnjë program nuk ka pasë për Shëndetësi, nuk e kanë asnjë ide, që një vit e gjysmë që është në pushtet”.