Lajme

Zemaj për Qeverinë: Dorë e zgjatur e mafisë farmaceutike, e shtyjnë zbatimin e ligjit për çmimet e barnave

12/29/2024 21:52
nga:G B

Ish-ministri i Shëndetësisë nga LDK-ja, Armend Zemaj, ka shprehur shqetësimin për vonesën në zbatimin e ligjit për unifikimin e çmimit të barnave, i cili ka pasur mbështetje nga opozita dhe është miratuar vitin e kaluar.

Në Debat Plus, Zemaj theksoi se ky ligj është i rëndësishëm për të rregulluar tregun e barnave dhe për të ulur çmimet për qytetarët, por përmendi se ekzistojnë dyshime lidhur me “përfshirjen e grupeve të interesit dhe ndikimin e ministrisë së Shëndetësisë”.

Zemaj ka dekalruar se për tri vjet radhazi është dëgjuar për këtë ligj, por ende nuk është zbatuar.

Ai kritikoi qeverinë duke thënë se ajo është “dorë e zgjatur e mafisë farmaceutike” dhe ka mbajtur peng implementimin e tij.

“Këtë deklarim e kemi dëgjuar tre vite radhazi, tash jemi në proces zgjedhor. Rëndësia e këtij ligji është jetike, ka qenë domosdoshmëri rregullimi i tregut të çmimit të barnave por në vazhdimësi jo vetëm unë po ka edhe njerëz tjerë, edhe nga politika e shoqëria civile që e kanë ngritur vazhdimisht që kjo qeveri edhe Ministria e Shëndetësisë aktualisht është dorë e zgjatur e mafisë farmaceutike gjatë këtij tre-vjeçari”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, vonesa e hyrjes në fuqi të ligjit është një çështje që nuk është arsyetuar dhe nuk është shpjeguar pse ka mbetur ende në pritje, duke shtuar se kjo ka shkaktuar dyshime për përfshirjen e grupeve me interesa të veçanta.

“Ky ligj është miratu vitin e kaluar është miratuar me votën e opozitës, nuk k pasur unitet brenda shumicës parlamentare aty kanë lindur dyshimet  e para që ka grupe të interesit që dëshirojnë ta zgjasin këtë monopolin që kanë lidhshmëri direkte me MSH-në dhe ministrin që janë katër persona që u në i kam potencuar në atë që e quaj kriminal të sektorit të shëndetësisë”, ka deklaruar Zemaj.

“Kjo hapësira kohore nuk e di pse ka mbet, edhe nuk është arsyetuar pse është muaji shkurt, pse nuk ka hyrë në fuqi menjëherë nëse është e saktë dhe duhet të procedohet”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar këtë javë se lista finale e çmimeve të produkteve medicinale është nënshkruar, duke hapur kështu rrugën për implementimin e ligjit që do të mundësojë që qytetarët e Kosovës nga shkurti i vitit 2025 të blejnë barna me çmime më të ulëta dhe të njëjta në të gjitha barnatoret.