Lajme

Zemaj për “Kurti 2”: Thuajse asnjë premtim s’e ka përmbushur, mendojnë se janë mbi ligjin

12/09/2025 23:45
nga:Genita C

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, duke thënë se besojnë në një mbështetje të fuqishme.

Ai u shpreh meritojnë që te jenë në krye të Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Është tashmë dëshmi e qartë se pothuajse mbetemi i vetmi subjekt politik që para interesit personal dhe partiak ne nuk e vëjmë asnjëherë interësin shtetëror, që nënkupton Kosovën, tash e sa vite dhe para interesit tonë personal dhe partiak nuk i vëjmë interesat e qytetarëve në çfarëdo rrethane dhe në asnjë mundësi e cila përdoret ose keqpërdoret vetëm për një grusht vota, ose për qëllime elektorale”

“Këto janë arsye të forta që neve na bëjnë të besojmë se e gëzojmë një mbështetje dhe do ta gëzojmë një mbështetje të fuqishme dhe mbi të gjitha meritojmë të udhëheqim me Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës, edhe si pjesë kadrovike, por edhe si pjesë programore, asnjëherë duke dalur para qytetarëve të vendit të kërkojmë votë mbi gjëra fiktive, por që janë mirë të studiuara”, u shpreh ai.

Ndërkaq, në lidhje me Qeverinë Kurti ai tha se nuk e ka përmbushur pothuajse asnjë premtim.

“Nga ky mashtrim është dëmtuar së pari interesi i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve. Nëse i shihni edhe në kalendarin e viteve dhe në pikat programore, pothuajse asnjë premtim nuk është i përmbushur”, tha Zemaj.

Tutje, ai kandidati për deputet tha se kjo Qeveri i ka dhënë të drejtë vetes të sillen sikur janë mbi ligjin.

“Këta njerëz me ardhjen në pushtet i kanë dhënë të drejtë vetes që janë edhe mbi ligjin. Shpeshherë i keni parë deklarimet e tyre që nuk i njohin as institucionet e drejtësisë, ose saherë që atakohen ata krijojnë njëfare paralelizmi që këto janë institucione të kapura, ndërsa kur ka aksione të mira, të mirëfillta dalin e krenohen dhe ky është ai mashtrimi politik që po e përmendi”, u shpreh Zemaj./Klankosova.tv