Lajme

Zemaj numëron mashtrimet e Qeverisë: Veriu, propagandë e VV-së për zgjedhje – Kurti luajti me ndjenjat e qytetarëve

09/18/2024 08:58
nga:G B

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në një intervistë për Gazeta Blic, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se ka mashtruar qytetarët.

Ai thotë se qytetarët e ndiejnë në kurrizin e tyre keqmenaxhimin e qeverisë, keqpërdorimet dhe janë të vetëdijshëm se çka i pret nëse ia japin besimin edhe për një mandat.

“Nuk besoj që qytetarët e Kosovës nuk e ndiejnë në kurrizin e tyre keqmenaxhimin, paaftësinë qeverisëse dhe keqpërdorimet që janë bërë për 4 vite nga Qeveria Kurti, jo vetëm në një element të shtetësisë por në shumë segmente, sidomos në mirëqenien ekonomike, mos të flasim për integrime dhe njohje fare, por edhe gabime tjera që janë bërë nga paaftësia ose nga kryeneçësia, besa edhe nga premtimet e mëdha që kanë qenë në të kaluarën dhe që kanë rezultuar mashtrim elektoral. Andaj, qytetarët janë të vetëdijshëm se çka i pret nëse japin besimin edhe për një mandat tjetër dhe reflektimi më i madh është largimi dhe ikja e shumë të rinjve nga Republika e Kosovës, sidomos profileve deficitare, që është dhimbje për Kosovën dhe fuqizimin e brendshëm të saj”, shprehet ai.

Sa i përket deklaratave të deputetëve të Vetëvendosjes se do t’i fitojnë 60 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit, deputeti i LDK-së thotë se është më shumë dëshirore por jo diçka që mund të ndodhë, pasi qytetarët janë të bindur për mashtrimet e VV-së.


“Vetëvendosje ka hyrë në qeveri si lëvizje dhe nuk ka mundur të profilizohet si parti politike dhe kjo nuk shitet dy herë te qytetarët e Kosovës sepse duke futur gjithçka brenda, legjislacioni më i domosdoshëm as nuk ka pësuar ndryshim e as nuk ka marrë përkrahje pikërisht nga LVV dhe ideologjitë që janë brenda saj dhe kjo e ka dëmtuar shumë edhe ekonominë vendore, arsimin, shëndetësinë, pjesën e dialogut por edhe atë që ne e quajmë integrim të Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Andaj kjo është më shumë dëshirore por nuk duhet të përkthehet në diçka që reflekton mbi mashtrimet e së kaluarës sepse qytetarët janë të bindur tashmë se mashtrimi për bashkim kombëtar, mashtrimi që nuk hyhet në dialog me Serbinë pa e gjetur fatin e të pagjeturve, pa reflektuar Serbia mbi krimet e luftës, por gjithçka është në negativitet nga ajo që është premtuar”, thekson Zemaj për Gazeta Blic.

Ai shton se Qeveria Kurti është marrë me qeverisjen e 20 viteve dhe ka pasur skandale të shumta.

“Ndërsa, eksponentët e VV-së fatkeqësisht nuk kanë reflektuar mbi gabimet ose për të insistuar në qeverisje të mirë por duke u thirrur për katër vite, në 20 vitet e kaluara të çdo qeverie apo situate çfare ka qenë, pas pavarësisë por kanë shkuar më larg edhe para pavarësisë, p.sh.: tema e energjisë janë marrë edhe para vitit 2008 kur ka qenë nën protektorat të UNMIK-ut, ndërsa skandalet në energji me Martin Berishaj, Nagip Krasniqin e të tjerë, kanë qenë gangrenë e buxhetit të Republikës së Kosovës”, vlerëson deputeti.

Ndërsa, lidhur me çështjen e veriut dhe hapjen e urës së Ibrit, Zemaj e sheh si propagandën e vetme dhe ofertën e vetme të Kurtit për zgjedhje, derisa vlerëson se e gjitha është për populizëm.

“Si të gjitha temat që janë populiste që kanë ngërthyer në vete demagogji, loja me ndjenja të qytetarëve sa i përket integrimit të veriut, sepse ne kemi komunitet serb edhe brenda Kosovës dhe nuk ka ndonjë interesim a ka institucione paralele, a ka banka ilegale, a ka struktura të gjendjes civile por z.Kurti dhe LVV është munduar ta shet veriun dhe gjendjen në veri si pjesë e propagandës dhe duket që 4 vite qeverisje është fokusi i vetëm ose do të jetë propaganda e vetme ose oferta e vetme për zgjedhjet e ardhshme. Por, qytetarët mendoj se e dinë realitetin, insistimi jonë që të ketë rend dhe ligj në veri ka qenë edhe pjesë e punës së përditshme dhe kërkesë permanente por krizat që janë shkaktuar, sanksionet që i ka marrë Kosova, humbjen e partnerëve ose zbehjen e partneritetit me SHBA-të dhe të tjerët është dashur që të bie në vëmendjen e Qeverisë sepse gjërat populiste dhe votat mund të shërbejnë për një mandat, por dëmi që i është bërë Kosovës është shumë i madh për një pozitë ose një mandat qeverisës”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj./Gazeta Blic/