Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ngërç institucional.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë dhe se, sipas tij, askush nuk duhet t’i mbajë peng institucionet e vendit.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet ta thërrasë seancën! Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë. Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si po zhvillohet procesi politik, duke thënë se provokimi i situatës nuk është në interes të Kosovës.
“Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka bërë thirrje që të ndalen, siç i ka quajtur ai, “lojërat politike”, duke theksuar se pushteti duhet të fitohet dhe të mbahet përmes rregullave demokratike, ligjeve dhe Kushtetutës.
“Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Reagimi i Zemajt vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i pakonstituuar. PDK-ja ka kërkuar zyrtarisht që seanca konstituive të vazhdojë më 14 gusht në orën 11:00, ndërsa në ditët e fundit situata është shoqëruar edhe me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe LVV-së.
Ndërkohë, edhe vetë Zemaj kishte deklaruar më herët se vendi po përballet me “ngërç kushtetues dhe bllokadë në Kuvend”.


