Lajme

Zemaj kritikon Kurtin për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, e quan Vitinë “ministër mindil”

08/11/2021 20:16
nga:M K

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mos-fokusim në pandeminë, si dhe ministrin aktual të dikasterit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për neglizhencë në parandalimin e transmetimit të koronavirusit.

Zemaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se nëse Kurti mendon se e ka fituar betejën me pandeminë, “nuk është në tokë të bukës”.

“Fillimisht thatë që e mundët pandeminë, pastaj thatë se do ta mundni! Cila është e vërteta juaj kryeministër? A besoni ende që e keni mundur pandeminë? Nëse po, atëherë nuk jeni n’tokë t’bukës. Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë”, ka shkruar ndër të tjera ish-ministri Zemaj.

Po ashtu, ai kritika ka rezervuar edhe për udhëheqësin e ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia. Zemaj e ka akuzuar atë për neglizhencë të rritjeve të rasteve të infektimit me Covid-19 dhe duke thënë se po merret me fushatë për zgjedhjet lokale.

Përgjatë së mërkurës, Kosova ka pësuar një rritje enorme të numrit të rasteve. Vetëm përbrenda 24-orëve të fundit, bazuar në raportin e MSH’së, janë regjistruar 888 raste me virusin korona.

Postimi i plotë i Zemajt:

Kryeministër, krejt bota demokratike është në luftë për shëndet, ndërsa ju veç për pushtet!

Sot, 888 raste me Covid -19.

Kryeministër, iu kisha paralajmëruar se pandemia nuk është lojë. E thashë nga përvoja e jo nga dëshira se virusi ishte dhe është akoma në mesin tonë. Iu luta dhe po iu lutem sërish që të tentoni të punoni..Fillimisht thatë që e mundët pandeminë, pastaj thatë se do ta mundni! Cila është e vërteta juaj kryeministër? A besoni ende që e keni mundur pandeminë? Nëse po, atëherë nuk jeni n’tokë t’bukës. Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë. E rrjedhimisht, a mendon ende si dikur që ministri “mindil” është i duhuri për ta fituar këtë betejë? Nëse po, si është e mundur që i njëjti është duke u marrë me fushatë për zgjedhjet lokale dhe jo me pandeminë?

Kryeministër, mjaft i mashtruat qytetarët, mjaft!

Definohu kryeministër, pasi që “i duhuri”, veçse i ka braktisur qytetarët! Apo ke mashtruar se është i duhuri! Definohu kryeministër, sepse të duhurit nuk ikin nga beteja.

Qytetarët më nuk mund t’i mashtroni, harroni!