Lajme

Zemaj: Ka mungesë të barnave në spitale, po tentohen të fshihen keqpërdorimet

03/07/2024 12:57
nga:Sh R

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se është zhgënjyese mungesa e barnave në spitalet e Kosovës.

Në fjalimin e tij të mbajtur në Kuvend, Zemaj e parashtroi pyetjen pse barna tani ka më pak?

“Çështja që dua ta adresojë sot këtu është mungesa e barnave. Po themi të barnave e jo vetëm mungesë të buxhetit. Ka mbet dhe është zhgënjyese kur po kuptojmë se në spitalet tona po ka barna më pak se çdo herë, e sot po pyesim pse po ndodh kjo, pse ka barna më pak?”, tha Zemaj.

Tutje, Zemaj ka paralajmëruar pushtetin se do t`i ndjek të gjitha rrugët institucionale që të dalin në pah, siç tha ai, të gjitha keqpërdorimet. Megjjithatë, Zemaj u shpreh se këto po tentohen të fshihen nga pushteti.

“Qytetarët dhe pacientët duhet ta dinë se kush janë hartuesit e listës esenciale. Cilët individë apo grupe brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë lobuar dhe kanë punuar në këtë listë dhe në favor të cilës kompani. Cilat janë përfitimet ekstreme brenda vitit të këtyre kompanive dhe këtyre individëve? Kush i kontrollon ata e kush qëndron prapa tyre. Këto dhe shumë pyetje të tjera do i adresojmë në rrugë institucionale dhe ta dini ju dhe të tjerët se nuk do të lejojmë që kjo të fshihet. Ani pse po tentohet të fshihet me gjithë fuqinë që kanë, por këtu do të dështoni. Është duke na dëgjuar edhe prokuroria, pacienti edhe qytetari i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.