Deputeti i LDK-së, njëherësh ish ministër i shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për gjendjen në shëndetësi dhe rikthimin për herë të tretë në krye të kësaj ministrie, të Arben Vitisë.
Ai thotë se LDK ka thënë vazhdimisht se shëndetësia nuk është prioritet për qeverinë Kurti dhe se këto dy vite të qeverisjes Kurti kanë qenë vite të humbura për shëndetësinë.
“Atë që e kemi paralajmëruar me kohë, kemi thënë në vazhdimësi se shëndetësia nuk është fare prioritet për qeverinë Kurti. Ndërrimi i ministrave, formimi i komisioneve ekzekutive, largimi i mjekëve, mos përkrahja ndaj tyre, mos krijimi i kushteve të punës, interferimet në SHSKUK, zgjedhjet e njëanshme, interferimet politike, shpenzimet buxhetore, keqpërdorimet, mos investimet, janë dy vite të humbura fatkeqësisht dhe pa as një strategji dhe pa asnjë ide apo vizion për të avancuar shërbimet shëndetësore në Republikën e Kosovës”, vlerëson ai.
Sipas Zemajt, në shëndetësi ka arnime por jo diçka më shumë dhe se përpos ndërrimit të individit nevojitet edhe ndërrimi i konceptit, strategjisë pasi gjendja është degraduese.
“Kemi arnime, në kuptimin p.sh koeficienti i pagave duket se është një pjesë e madhe pozitive por për profile deficitare të cilat nevojat janë tepër të mëdha dhe listat e pritjes falë mungesës së këtyre profileve janë të mëdha, atëherë është papërgjegjësi dhe nuk është pjesë e vizionit e as e programit të kësaj qeverie. Në fund, riciklimi duket se ka qenë i paarsyeshëm dhe fare nuk e ka përmirësuar gjendjen në këtë sektor, jo vetëm ndërrimi i individit por ndërrimi i konceptit, strategjisë se si të përmirësohet gjendja dhe në fund të fundit e kemi një gjendje mos të them goxha degraduese në kuptimin edhe pse duket se asnjëherë s’ka qenë e mirë”, tha deputeti Zemaj./Gazeta Blic/


