Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se “të gjithë” në samitin e Grupit të Shtatë (G7) ranë dakord ta ndihmojnë vendin e tij për të forcuar mbrojtjen ajrore, shkruan CNN.
Zelensky e bëri sigurimin e më shumë kapaciteteve të mbrojtjes ajrore një nga prioritetet e udhëtimit të tij në Francë dhe, duke folur pas grupit të parë të takimeve të tij të martën pasdite, tha se ishte pozitiv për rezultatet.
“Kjo është një sfidë e madhe, në fakt, sepse prodhimi nuk është aq i madh sa nevojat tona. Prodhimi është në Shtetet e Bashkuara. Unë ngrita çështjen e licencave. Ia parashtrova Presidentit Trump. Ne kemi nevojë për licenca për të prodhuar raketa”, i tha Zelensky Reuters.
Zelensky tha se sugjerimi i tij u prit pozitivisht nga homologu i tij amerikan, duke shtuar: “Shpresoj që kur Presidenti Trump është pozitiv, kjo do të thotë po”.
Rusia po përpiqet të mbingarkojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës duke lëshuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa njëherësh, madje disa herë në javë.
Ndërsa Ukraina ka bërë përparime të mëdha teknologjike në mënyrat se si i lufton sulmet ruse, ajo ende varet nga sistemet perëndimore kur bëhet fjalë për rrëzimin e raketave më të avancuara të Rusisë.
Ukraina ka siguruar një numër sistemesh amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, më të avancuarat ndër armët kundër raketave, nga aleatët e saj perëndimorë, por ka mungesë kronike të raketave për to.
Kjo mungesë u përkeqësua ndjeshëm nga lufta në Lindjen e Mesme, pasi një pjesë e furnizimeve që fillimisht ishin destinuar për Kievin u devijuan drejt Gjirit Persik. Sigurimi i një licence për prodhimin e raketave Patriot do të ishte një fitore e madhe për Ukrainën.
SHBA-ja nuk ka komentuar mbi këtë sugjerim.


