Lajme

Zelensky thotë se planifikon të takohet me Trump në Florida për bisedime paqeje të dielën

12/26/2025 15:07
nga:N K

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se planifikon të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump në Florida të dielën, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët të premten, Zelensky paralajmëroi se nuk mund të thoshte nëse takimi do të çonte në një marrëveshje të prerë, por shtoi se të dyja palët do të synonin të “finalizonin sa më shumë që të mundnin”.

Më herët të premten, lideri ukrainas kishte shfaqur një ton optimist, duke shkruar në X se “shumë mund të vendoset para Vitit të Ri.”Zelensky u tha gazetarëve se plani i paqes me 20 pika i hartuar nga zyrtarët ukrainas dhe amerikanë është “90% gati” dhe se ai planifikonte të diskutonte me Trump se si aleatët e Ukrainës mund të garantonin sigurinë e saj në të ardhmen, shkruan CNN.

Nuk kishte konfirmim të menjëhershëm të takimit të ardhshëm nga Shtëpia e Bardhë.

Njoftimi i Zelensky vjen pasi ai ofroi kompromis për disa nga çështjet më të mprehta që deri më tani kanë bllokuar procesin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Rusinë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse lëshimet e Zelensky-t do ta kënaqin Kremlinin.