Lajme

Zelensky pyet NATO-n: A jeni të sigurtë se do të funksion neni 5 i Aleancës nëse Rusia sulmon ndonjë shtet të NATO-s?

03/24/2022 13:19
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, i është drejtuar përmes një video-lidhje liderëve të shteteve anëtare të NATO-s, të cilët po marrin pjesë në Samitin e jashtëzakonshëm të Aleancës, i cili po zhvillohet në Bruksel.

Ai me këtë rast porositi liderët e Aleancës që kurrë më mos ti thonë se vendi i tij nuk mund të anëtarësohet në Aleancë.

“Kurrë më, ju lutem, kurrë më mos na thoni se ushtria jonë nuk përmbush standardet e NATO-s. Kemi dëshmuar se për çfarë janë të afta standardet tona. Dhe sa mund ti ofrojmë sigurisë së përbashkët në Evropë dhe botë”, porositi Zelensky.

Ai tha se kishte kërkuar mbështetje ajrore “për të mbrojtur qiejt mbi Ukrainë” që nga fillimi i luftës, sepse Ukraina nuk ka sisteme të fuqishme të mbrojtjes ajrore.

Zelensky më tutje shtoi se Rusia po përdor armë të shkatërrimit në masë dhe pasojat mund t’i shohin të gjithë.

“Kjo është një luftë e pabarabartë,” tha Zelensky, duke kërkuar “mbështetje të pakufizuar ushtarake” për të shpëtuar popullin dhe qytetet ukrainase.
Ai theksoi se Rusia “përdor arsenalin e saj pa kufizime” dhe godet qëllimisht qytetet, spitalet dhe urat. “Na jepni, na i shitni”, por ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë nga anëtarët e NATO-s”, tha Presidenti i Ukrainës.

Zelensky pyeti liderët e NATO-s se a janë të sigurt dhe të bindur se neni 5 i Kartës së NATO-s do të funksiononte nëse Rusia sulmonte një anëtar të NATO-s?

Siç dihet, neni 5 i Kartës së Atlantikut të Veriut thotë se një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve.