Lajme

Zelensky paralajmëron NATO-n: Ambiciet e Moskës nuk ndalen në Ukrainë

06/29/2022 15:01
nga:Astrit Gashi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë liderëve të NATO-s, se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare për t’u përballur me pushtimin rus në Ukrainë, duke paralajmëruar se ambiciet e Moskës nuk do të ndalen në këtë shtet.

“Neve na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…neve na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne”, ka thënë Zelensky, teksa i është adresuar Samitit të NATO-s që po mbahet në Madrid.

“Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Evropë – për atë sesi do të duket e ardhmja në botë”, ka thënë Zelensky përmes video-lidhjes.

Ai ka bërë thirrje edhe për më shumë ndihmë financiare, duke thënë se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus.

Zelensky ka bërë thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë, të cilat do t’ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.

“Rusia ende pranon miliarda dollarë çdo ditë dhe i shpenzon ato për luftë. Ne kemi deficit në vlerë të disa miliarda dollarëve, ne nuk kemi naftë dhe gaz për ta mbuluar atë”, ka thënë Zelensky.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas tij, Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të aleancës.

Në nisje të ditës së dytë të samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin pritet të miratohet strategjia e re për të ardhmen e aleancës, Stoltenberg ka thënë se aleatët do të takohen në “kohën e krizës më serioze”, duke shtuar se “samiti do të jetë historik dhe transformues”.

“Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë”, ka thënë Stoltenberg.

Përditësimi i fundit i politikave të NATO-s është bërë më 2010.

Stoltenberg ka thënë se pret ratifikim të shpejtë të marrëveshjes për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë.