Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një videomesazhi ka thënë se negociatat me Rusinë po vazhdojnë, por janë veç fjalë.
Ai tha se procesi i negociatave është pa ndonjë rezultat konkret, teksa shtoi se “tërheqja e supozuar” e trupave ruse nga Kievi dhe Chernhivi nuk është një tërheqje, por rezultat i punës së ushtrisë ukrainse.
“Po, ne kemi proces negociatash, por ato janë vetëm fjalë, pa asgjë konkrete. Ka fjalë të tjera për tërheqjen e supozuar të trupave ruse nga Kievi dhe Chernihiv dhe reduktimin e aktiviteteve të pushtuesve në këto territore. Kjo nuk është një tërheqje, kjo është rezultat i punës së mbrojtësve tanë, të cilët i kanë shtyrë prapa”, tha ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv
Ai vazhdoi duke thënë se trupat ruse po përqendrohen në rajonin e Donbasit për sulme të reja, duke thënë se ukrainasit janë “gati për këtë” dhe se ukrainasit do të luftojnë për çdo metër tokë.
Tutje, Zelensky i ka dalë sërish në krah ushtrisë së tij, duke i thënë të gjithë njerëzve që të mos e kritikojnë përformancën e ushtarëve ukrainas.
“Nëse dikush mendon se ai ose ajo mund ta mësojë ushtrinë tonë se si të luftojë dhe si t’i rezistojë armikut, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të shkoni vetë në fushën e betejës, jo nga një divan në shtëpi ose nga një vend i sigurt ku keni ikur, por nga terrenet reale të betejës dhe tregoni aftësitë tuaja për të luftuar. Nëse nuk jeni gati ta bëni këtë, as mos filloni t’i mësoni mbrojtësit tanë se si ta bëjnë punën e tyre”, është shprehur Zelensky.
Më tej, ai ka falënderuar ShBA-të për ndihmën financiare prej 500 milionë dollarëve, teksa kërkoi më shumë tanke, avionë luftarak e artileri.
“Nëse duam të luftojmë bashkë për lirinë, atëherë kërkojmë nga partnerët tanë që të na ndihmojnë. Ne kemi nevojë për tanke, avionë luftarakë e artileri. Liria nuk duhet të jetë më keq e armatosur se tirania”, është shprehur Zelensky.


