Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka mbajtur video-fjalime që nga fillimi i agresionit rus kundër vendit të tij, u ka bërë thirrje njerëzve në mbarë botën të protestojnë publikisht të enjten, në shenjë të muajit të parë të agresionit të Rusisë.
“Lufta e Rusisë nuk është vetëm lufta kundër Ukrainës. Kuptimi i saj është shumë më i gjerë”, ka thënë Zelensky, duke mbajtur për herë të parë fjalimin në gjuhën angleze.
“Rusia filloi luftën kundër lirisë”, vazhdon ai, duke shtuar se “ky për Rusinë është vetëm fillimi”.
“Rusia po përpiqet të mposht lirinë e të gjithë njerëzve në Evropë. Të gjithë njerëzve në botë. Ajo u përpoq të tregonte se vetëm forca e papërpunuar dhe mizore ka rëndësi”, vazhdon ai.
Lideri ukrainas shtoi se “Bota duhet të ndalojë Rusinë. Bota duhet të ndalojë luftën.
“Tashmë një muaj. Kaq kohë. Më thyen zemrën, zemrat e të gjithë ukrainasve dhe çdo njeriu të lirë në planet”, tha Zelensky.
Ai vazhdoi duke bërë thirrje për demonstrata në rrugë dhe për protestuesit që të marshojnë me simbole ukrainase.
“Dilni në sheshet e rrugëve tuaja. Bëjeni veten të dukshëm dhe le të dëgjohet zëri juaj”, porositi Zelensky dhe kërkoi që protestuesit të qartësojnë “se njerëzit kanë rëndësi, liria ka rëndësi, se paqja ka rëndësi, se Ukraina ka rëndësi”.


