Avokati Yll Zekaj, tha se në zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit, asnjë parti politike nuk kishte program për t’i promovuar të drejtat e grupeve të margjinalizuara.
“Asnjëra nga partitë politike nuk pati një program- një koncept për t’i promovuar të drejtat e personave të margjinalizuar, me theks të veçantë personave me aftësi të kufizuara”, tha Zekaj.
Ai kujtoi se gjatë zgjedhjeve kishte një reagim nga shoqata që përfaqëson personat me aftësi të kufizuara- Handikos, të cilët kanë qenë kritik me partitë politike dhe kërkuan të drejtat elementare përmes një deklarate të zotimeve, që të nënshkruhej nga kandidatët për kryeministër, por që nuk gjeti përkrahje.
Ai tha se në kontekstin e Kosovës, grupet e margjinalizuara janë ato grupe që nuk janë mirë të përfaqësuara apo të diskriminuara në raport me grupet e tjera, grupet që nuk kanë trajtim të barabartë me grupet tjera dhe ato që kanë nevoja më të mëdha se grupet tjera.
Avokati tha se shteti përveç obligimeve ligjore për t’i afirmuar të drejtat e këtyre grupeve, ka obligime edhe të ndërmarrë masa afirmative në drejtim të këtyre grupeve.
Sipas tij, ligjet sigurojnë qasje të barabartë për këto grupe, mirëpo në praktikë gjendja lë shumë për të dëshiruar.
Zekaj përmendi personat me aftësi të kufizuara të cilët përballen me një mori problemesh, duke filluar nga infrastruktura dhe qasja në institucione.
“Nëse shohim qasjen e qeverive, edhe qeverisë së tanishme apo qeverisë në detyrë dhe qeverive të kaluara në raport me grupet e margjinalizuara, me të drejtë mund të themi se është bërë shumë pak në drejtim të realizimit të këtyre të drejtave, në drejtim për t’iu mundësuar këtyre personave që t’i realizojnë të drejtat e tyre”, tha Zekaj. /BetimipërDrejtësi/