Lajme

Zëdhënësja e LDK-së i reagon Kurtit: Paraqitja e tij alarm, është tronditur nga sondazhet e fundit – sulmoi gjithë botën në konferencë

09/18/2023 14:00
nga:G B

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, pasi opozita do të zhduket.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti është politikan që i takon të kalurës dhe sot e dëshmoi sërish.

Halimi thotë se Kurti sot në konferencë sulmoi botën, duke mos pranuar përgjegjësinë për gjendjen që e ka sjellë vendin dhe dialogun.

“Albini Kurti është politikan që i takon së kaluarës. Sot na e dëshmoi këtë për të disatën herë. Në një konferencë për medie – ku gazetarët u limituan në të drejtën e tyre për të bërë pyetje – ai sulmoi gjithë botën, pa pranuar asnjë copëz të përgjegjësisë së tij së madhe për gjendjen në të cilën e ka sjellë dialogun dhe vendin”, shprehet ajo.

Zëdhënësja e LDK-së vlerëson për Gazeta Blic se konferenca e Kurtit është alarm dhe ai po mundohet që tronditjen e tij nga sondazhet e fundit ta bartë te populli, por që s’do të ketë sukses.

“Ndaj konferenca dhe paraqitja e tillë e tij është alarm që nuk arrin të nxjerrë asnjë rezultat. Ndoshta, Kurti vetë mundohet që tronditjen e tij nga sondazhet e fundit ta bartë tek publiku, mirëpo vështirë se do të ketë sukses. ‘Rruga e Re’ është ndarje me të shkuarën e dramave të Kurtit, alternativa që po gjen mbështetje te qytetarët e Republikës”, deklaron Sibel Halimi./Gazeta Blic/