Lajme

Zëdhënësja e LDK-së: Guri i Nënës Pashkë të kthehet në vend të vet, me të u lëkund dhembja që e përjetuan të gjitha gratë

07/23/2023 13:37
nga:G B

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar për heqjen e gurit të Nënës Pashkë, derisa ka thënë se është prekur murana e një nëne shqiptare, që është shndërruar në ikonë dhe në vet thelbin e tragjikes së luftës së Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se ai gur nuk duhet lejuar të lëkundet, sepse me këtë akt lëkundet dhembja që e përjetuam gratë e bashkë me te edhe historia e sakrificës së grave gjatë luftës.

Ajo ka shtuar se ai gur duhet rikthyer aty ku peshon sa dhembja e grave të te gjithë shekujve!

Postimi i saj i plotë:

Është prekur murana e një nane shqiptare, që është shndërruar në ikonë dhe në vet thelbin e tragjikes së luftës së Kosovës.

Nana Pashkë, e vetëflijuar duke e ndez veten, pasi merr vesh se makineria ushtarake-policore e fashizmit të Milosheviqit ia kishte vrarë dy djemtë, është secila nga ne, në perin e hollë të tragjizmit që di të sjellë jeta.

Guri, i cili personifikonte dhembjen e një gruaje, u hoq lehtësisht nga pronari i tokës!?

Një gur i rëndë sa dhembja e një nëne, kur merr kumtin për vrasjen e bijve, është kuptimi i vërtetë i historisë fatkeqe që përjetuan shqiptarët në fundshekullin XX.

Kjo trashëgimi trishtimi e përqendruar në një gur, është përmendore kujtese dhe duhet të merret në mbrojtje nga institucionet e shtetit, Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë apo kushdo që i intereson kujtesa kolektive, qoftë me mirëkuptimin e pronarit të atij trualli, qoftë duke e shpallë zonë të interesit publik.

Nuk duhet lejuar të lëkundet ai gur – sepse me këtë akt lëkundet dhembja që e përjetuam gratë e bashkë me te edhe historia e sakrificës së grave gjatë luftës.

Ai gur duhet rikthyer aty ku peshon sa dhembja e grave të te gjithë shekujve!