Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, ka kritikuar partinë në pushtet, Vetëvendosje, për luftën ndaj medias dhe fjalës së lirë.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti ka frikë nga ballafaqimi me të vërtetën, andaj refuzon përballje televizive me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Luftën e posaçme ndaj medies dhe fjalës së lirë, partia në pushtet e ka hobi e po ashtu edhe “kinezët e indianët” që ua rrisin “shikueshmërinë”, por kjo nuk është çështja kësaj radhe. Problemi është pse i ikin ballafaqimit me të vërtetën”, shprehet ai.
Sipas Xhemailit, VV-në e ka kapur paniku derisa po i afrohemi zgjedhjeve, për shkak të humbjes së besimit të qytetarëve.
Ai kërkon që VV t’i tregojë audiencës për liberalizimin e vizave për serbët me pasaporta të lëshuara nga Serbia.
“Është më se evidente se teksa po i afrohemi zgjedhjeve, partinë në pushtet e ka kapur paniku për shkak të humbjes së besimit qytetar. Le të dalin e t’i tregojnë audiencës se si pasaportat e lëshuara nga Serbia për qytetarët serbë të Kosovës vlen liberalizimi i vizave. Kjo si çështje e fundit, dhe të gjitha me radhë prej ditës që kanë shkelur në qeveri”, deklaron Kushtrim Xhemaili./Gazeta Blic/


