Gazetari Vehbi Kajtazi, në Rubikon të Klan Kosova, ka hedhur dyshime ndaj paraqitjes së butë të anëtarëve të LVV-së në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai është i mendimit se gjuha e ashpër e Albin Kurtit, kreut të LVV-së, do të kthehet qysh në ditën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Kurti me 29 dhjetor do t’i kthehet gjuhës së njëjtë sepse ai nuk do të funksionojë ndryshe. Edhe në intervistën në Kanal 10, ai i ka thënë disa qëndrime që nuk e ndërrojnë qëndrimin e zotit Kurti. Ai tha ‘një televizion, duke iu referuar Klan Kosovës. Pra, ai ka ende armiq, por thotë hajt se po iu shfrytëzoj juve”, theksoi Kajtazi.
Ndërkaq, sa i përket mediave, ai tha se nuk do të pranonte që LVV-ja të kthehet aq lehtë nëpër studio televizive.
“Do të duhej të kërkonin falje për gjuhën e poshtër që e kanë pasur për media. Mos të harrojmë se me gjuhën e tyre linçuese, këta ia kanë rrezikuar jetën njerëzve. Mos të harrojmë se ekipi i Klan Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, ka qenë cak i sulmeve nga militantë të Vetëvendosjes, dhe kaq lehtë me kalu gjithë këto sulme dhe me ardh këta me u shtri nëpër studio televizive e me kallxu përralla, unë nuk e kisha pranuar një gjë të tillë”, tha gazetari.


