Sporti

Zbulohet plani i Barcelonës për ta larguar De Jongun

09/28/2024 13:48
nga:E K

Barcelona e ka formuluar një plan se si ta largojë Frenkie de Jongun nga ekipi, me këtë të fundit që është i hapur për këtë largim.

Barcelona është shprehur e gatshme t’i paguajë 18 milionë euro paga të mbetura borxh De Jongut, gjersa holandezi duhet të largohet në verën e vitit 2025, raporton “Football Insider”.

Ish-lojtari i Ajaxit është futbollisti më i paguar në klub dhe Barcelona ende i ka borxh disa paga që nga koha e pandemisë “COVID”.

“Blaugranët” tashmë kanë vendosur t’ia paguajnë këtë shumë lojtarit holandez, teksa largimi i tij do t’i mundësojë të lirojë një vend në listën e pagave dhe do t’i ndihmojë klubit të fokusohet në transferime të reja, si ai i Erling Haaland nga Manchester City.

E ardhmja e De Jong te Barcelona ka qenë në qendër të spekulimeve për një kohë të gjatë.

Mesfushori rregullisht ka qenë i lidhur me një transferim te Manchester United, por ai nuk ka hezituar asnjëherë ta refuzojë klubin anglez, për të qëndruar në Barcelonë.

Ndërsa, tash ylli holandez duket se e ka ndryshuar mendjen, pasi po e konsideron largimin. Një arsye është se ai mund ta ketë humbur tashmë vendin startues në ekip, pasi është jashtë që nga muaji prill. E, që nga ajo kohë, shumë lojtarë të rinj si, Marc Bernal, Marc Casado, Fermin Lopez e Pablo Torre kanë shkëlqyer nën urdhërat e Hansi Flick.

Në konferencën për shtyp të premten, Flick foli për rikthimin e Frenkie de Jong.

“Më pëlqeu çfarë pash në stërvitje. Edhe Gavi po ashtu. Të dytë po e rrisin ritmin e lojës. Frenkie është afër rikthimit. Do të shohim se çka do të ndodhë javën tjetër”, ka thënë trajneri gjerman.

Barcelona e ka nisur perfekt sezonin e ri në La Liga, duke arritur shtatë fitore në shtatë ndeshjet e para.

Sonte, klubi katalunas do të luajë si mysafire e Osasunas, në xhiron e tetë të La Ligas.