Divock Origi tani është vetëm një hap larg konfirmimit të transferimit të tij të lirë në Milano, me testet mjekësore që pritet të kryhen javën e ardhshme.
Sulmuesi 27-vjeçar belg po largohet nga Liverpool pas tetë vitesh pasi i skadon kontrata dhe ai është gati t’i bashkohet kuqezinjve, përcjell GazetaBlic Sport.
Bisedimet po vazhdojnë prej muajsh dhe është arritur një marrëveshje për pagën dhe kontratën e tij. Origi do të nënshkruajë një marrëveshje katërvjeçare me Milanin, me vlerë rreth 4 milionë euro neto në sezon plus shtesa.
Siç theksohet nga Calciomercato.com, Origi do t’i nënshtrohet testeve të zakonshme mjekësore para transferimit javën e ardhshme.
Sulmuesi belg shënoi 41 gola dhe dha 18 asistime në 175 paraqitje në të gjitha garat për Liverpool-in, duke u bërë i njohur për golat e tij vendimtarë në ndeshjet kyçe, si në rikthimin e famshëm të Reds në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës ose në finalen e Champions League kundër Tottenham.
/GazetaBlic Sport/


