Disa afganë po shesin objektet e tyre më të çmuara për të financuar ikjen e tyre nga sundimi taleban, ose thjesht për të paguar për ushqimet. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, thotë se vendi po përballet me një krizë humanitare.
“Ndihma humanitare nuk do ta zgjidhë problemin nëse ekonomia e Afganistanit bie në kolaps, dhe ne e dimë se rreziku është i madh dhe se ka një mungesë dramatike të parave të gatshme”, tha ai.
Të hënën, bashkësia ndërkombëtare u zotua për më shumë se 1.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Afganistanin. Ministri i jashtëm në detyrë i talebanëve gjithashtu bëri thirrje për qasje në pasuritë e huaja të vendit me vlerë prej 10 miliardë dollarësh, shumica e të cilave janë bllokuar në Shtetet e Bashkuara.
“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara si një vend i madh duhet të kenë një zemër të madhe. Afganistani është një vend i varfër dhe nuk duhet të trajtohet mizorisht. Ne duam marrëdhënie pozitive dhe gjithëpërfshirëse me bashkësinë ndërkombëtare, dhe u kërkojmë atyre gjithashtu që të mos shtojnë presionin mbi popullin afgan”, tha Ministri i Jashtëm në detyrë, Amir Khan Muttaqi.


