Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në nder të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka marrë pjesë në zbulimin e busteve të heronjëve Sala dhe Hamit Jashari në Prekaz.
Haradinaj ka thënë se shtëpia e Sale dhe Hamit Jasharit ishte shndërruar në strehë të sigurt për celulat e para të UÇK-së.
“Në Prekazin heroik, çdo shtëpi ka një histori. Shembulli i qëndresës heroike të Baces Shaban, Ademit e Hamzës, nuk ishte i vetëm. Shtëpia e Hamit e Sale Jasharit ishte shndërruar në strehë të sigurt për celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e lirisë, gjetën aty ngrohtësinë, por edhe frymëzimin për të vazhduar në rrugën e lavdisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka shtuar tutje se bacë Hamiti e nëna Sale, ishin bërë simbole të qëndrueshmërisë.
Ndryshe, sot krerët e shtetit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin, Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Pas homazheve ata kanë shkuar për vizitë në odën e Jasharëve, ku aty u priten nga Rifat Jashari.
Përveç krerëve të shtetit homazhe pati edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.