Policia e Shtetit ka njoftuar se janë gjetur 7446 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në fshatin Reç i Ri, në Velipojë.
Pas zbulimit të plantacionit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka pezulluar nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, informacioni për kultivimin e mijëra bimëve narkotike në një territor të hapur, lehtë të identifikueshëm, kishte mbërritur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm, pas së cilës u organizua aksioni për asgjësimin e tyre dhe identifikimin e autorëve.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për pesë punonjës policie. Tre prej tyre janë pezulluar nga detyra, ndërsa dy të tjerë po hetohen pa masë pezullimi.
Policia e Shtetit ka theksuar se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet prioritet dhe se do të ketë përgjegjësi si për autorët e veprave penale, ashtu edhe për zyrtarët që nuk përmbushin detyrimet ligjore.


