Lajme

Zbatimi i shkresës për arkivat, ndër kërkesat e Kosovës në takimin e së mërkurës për të pagjeturit

01/14/2025 09:19
nga:G C

Të mërkurën në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit.

Kryetari i komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti deklaroi të hënën se takimi i 15 janarit ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e të zhdukurve.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai bëri me dije se delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kanë adresuar tek presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.

Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023”.

Delegacioni kosovar do të përfaqësohet në këtë takim nga Halil Cenaj.

Lidhur me takimin e nesërm ka folur edhe emisari evropian për dialogun e Brukselit, Miroslav Laçak.

Ai mes tjerash potencoi se gjatë misionit të tij në Amerikë, me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe me zëvendëssekryetarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanofin, diskutuan rreth dialogut.

“Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçaku, njofton Klankosova.tv.

“Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, u shpreh më tutje emisari.

Marrëveshja për çështjen e të pagjeturve është arritur gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.