Lajme

Zbardhen detaje për therjen me thikë të 4 personave në Ferizaj, ministri Vitia e doktori Syla flasin nga Emergjenca

11/11/2024 20:39
nga:G C

Viktima 10-vjeçare e therjes së katërfishtë në Ferizaj është në gjendje stabile. Ndërkaq një pacient tjetër nga tre të transferuarit në QKUK ka gjasa që do t’i nënshtrohet operimit.

Kështu ka bërë të ditur për RTK-në drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.

“Fëmiu 10-vjeçar është në gjendje më të rëndë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente, ndërkaq më vonë është futur në sallën e operacionit. Gjatë kohës së intervenimit dhe gati para përfundimit, gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Syla për “Lajmet Qendrore” të RTK-së.

Ai ka dhënë detaje edhe për dy viktimat e tjera të shtrira në QKUK.

“Për dy rastet e tjera kanë qenë në gjendje stabile. Njëri është trajtuar në gjendjen emergjente dhe është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ndërkaq tjetri është në observim në Qendrën Emergjente, ku mund të them se gjendja e tij është duke u keqësuar, ku sipas të gjitha gjasave do të paraqitet nevoja për sallë të operacionit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka shprehur mirënjohje për stafin e QKUK-së për intervenimin e shpejtë.

“Falë reagimit të shpejtë nga Klinika Emergjente, dëgjova lajmin e mirë se gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e personave të tjerë është kryesisht stabile, përveç personit i cili pavarësisht që është në ri animin këtu, mund të ndodh që të ketë nevojë edhe për një intervenim kirurgjik”, ka thënë Vitia për RTK-në.

Tre nga katër personat e therur me thikë në Ferizaj ishin sjell për trajtim në Emergjencën e QKUK-së. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:40, ku një person i moshës madhore në rrethana ende të pasqaruara u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore (therur me thikë) 4 personave kalimtarë të rastit.