Xhavit Zariqi, kandidat i AAK-së për deputet, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se raporti i Komunës së Ferizajt me nivelin qendror është sikur edhe komunat tjera.
Ai ka përmendur projekte që qeveria i ka ndalur dhe nuk kanë rinisur.
“Fatkeqësisht si me komunat tjera, me përjashtim të komunave të VV-së. edhe Ferizaj ka pasur pengesë në zhvillim të projekteve, fatkeqësisht kur ka ardhur në pushtet qeveria Kurti të gjitha memorandumet e nënshkruara me qeverinë janë anuluar dhe nuk janë realizuar. Një rast drastic ka qenë rruga Prelez fshati I vjetër, projekt i BE-së i tenderuar dhe me ardhjen e VV-së në pushtet është anuluar dhe nuk është përfunduar as sot kjo rrugë. Është ritenderu, është rritur çmimi, është anuluar, është ritenderuar, dhe nga 11 milionë është 17 milionë. Keqmenaxhim dhe keqpërdorim. Nuk e di pse po e bën këtë qeveria, duhet pyetur ata, por çdo gjë që po bën po e bën në aspektin negative dhe rruga sot është skandaloze, e pakalueshme”, ka thënë ai.
Zariqi ka folur dhe për rritjen e pagave nga qeveria dhe ndarjen e shtesave për fëmijë e pensionistë, teksa ka treguar për rritjen e pagave që do ta bëjë AAK nëse vjen në qeveri.
“Blerje klasike e votës. Për 4 vjet nuk bën asnjë lëvizje dhe në fushatë bëhet kinse po i rrit pagat. Është rritje qesharake, në dy pjesë është për të bërë hajgare, shantazh, mashtrim. Më votoni mua sepse ua rriti pastaj sërish rrogat. Ne do t’i rrisim shtesat për fëmijë, nuk do t’i anulojmë. Me program të AAK-së nuk do të ketë pagë nën 500 euro, as pension nën 500 euro dhe paga mesatare 1 mijë euro”, është shprehur ai për Gazeta Blic.
Ai ka thënë se ka buxhet për këto paga, por që duhet ditur menaxhuar, derisa qeveritarët i ka quajtur më pak se praktikantë.
“Sigurisht që ka buxhet por vetëm duhet të menaxhohet drejt dhe nuk duhet të luhet me të. Nuk menaxhohet shteti kështu, këta as praktikantë nuk janë, për 4 vjet kanë mbetur nën praktikantë”, ka theksuar Zariqi.
Po ashtu, ai ka folur për ndërtimin e një termocentrali, mos ndërtimin e tij nga Qeveria Kurti.
Energjia është shumë e rëndësishme. E kuptoj që nga BE ka pengesë për ndërtimin e termocentraleve por shpresoj dhe besoj se me këmbëngulje e seriozitet, prapë mund të arrihet të ndërtohet një termocentral. Në kohën e qeverisjes së z.Haradinaj kam qenë zv ministër dhe ka qenë kontratë e nënshkruar me kompaninë amerikane Contur Global dhe po të mos të ndërpritej kjo kontratë nga kjo qeveri dhe Albin Kurti sepse po vërtetohet se këta kanë qenë matrapazët e spekulimeve, të tregtisë me energji, kur kanë ardhur në qeveri e kanë ndërprerë kontratën, kanë paguar dëmshpërblim për atë kontratë 22 milionë, vetëm për të bërë tregti siç po bën sot ambasadori Martin Berishaj me GEN-in serb dhe prapë pretendojnë se nuk kanë bërë tregti me Serbinë dhe të gjithë e dinë që qëllimi i Albin Kurtit ka qenë pengimi i ndërtimit të termocentralit, për të bërë tregti me energjinë dhe për ta lënë Kosovën në terr dhe për të blerë rrymë shtrenjtë në kriza energjetike që i kemi edhe sot. Ne do të këmbëngulim që në bashkëpunim me SHBA-të ta ndërtojmë një termocentral dhe ta bëjmë një zgjidhje afatgjate për energjinë në Kosovë, jo vetëm për nevojat tona por edhe për të shitur”, ka potencuar Zariqi, kandidat për deputet nga AAK.
Por, a do të mund ta ndalin mafinë energjetike, siç edhe po e quajnë?
Zariqi thotë se këtë ka guxim ta bëjë vetëm z.Haradinaj.
“Natyrisht se po. Nëse dikush ka guxim në Kosovë, ka z.Haradinaj, dhe nëse dikush duhet ta ndalë këtë mafi energjetike, atë duhet ta ndalë z.Haradinaj dhe do të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve energjetike”, ka deklaruar Xhavit Zariqi./Gazeta Blic/