Sporti

Zaniolo transferohet në Premier League, detajet e operacionit

08/15/2023 16:29
nga:E K

Nicolo Zaniolo do të vazhdojë karrierën në Premier League. Lojtari që shënoi golin vendimtar në finalen e Conference League në “Air Albania” (2022), duke i dhuruar Romës fitoren 1-0 ndaj Feyenoordit, do të jetë pjesë e Aston Villas në vitet e ardhshme.

24-vjeçari u transferua gjatë janarit te Galatasaray, skuadër me të cilën fitoi titullin kampion në Turqi. E ardhmja quhet Aston Villa, aty ku trajneri Unai Emery e pret krahëhapur.

“Zaniolo nuk është një sulmues i mirëfilltë, është i gjithanshëm. Mund të luajë si ‘pykë’, si numër 7 ose si numër 10.

Ai bën pjesë në listën e lojtarëve që duam të afrojmë, ka cilësitë e duhura për të ndihmuar Aston Villan”, theksoi tekniku spanjoll.

Operacioni Zaniolo shkon në 30 mln euro mes huazimit dhe detyrimit të blerjes së tij nga klubi nga Birmingami në verën e vitit të ardhshëm.

Nga ky transferim do të përfitojë edhe Roma, që ka ruajtur 20% të kartonit. Ndërkohë që futbollisti do të kryejë testet mjekësore gjatë ditës së mërkurë.

Zaniolo do të vazhdojë të përfitojë rreth 3 mln euro në sezonin e parë në ishull. E njëjta shumë me të cilën paguhet nga kampionët e Turqisë.