Sporti

Zabërgja: Momenti më i mirë në karrierë ishte fitimi i Kupës me Hysin, kurse momemti më i keq humbja ndaj Malmos me kombëtaren

10/20/2024 21:47
nga:Lorik J

Enis Zabërgja i dha fund karrierës si futbollist aktiv, duke lënë pas shumë momente të mira, pasi fitoi gjithçka në futbollin vendor.

Në një rrëfim ekskluziv për “Expose”, Zabërgja ka treguar edhe për momentin më të mirë në karrierën e tij 22 vjeçare, që s’do ta harrojë kurrë.

Ai potencon se triumfi në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri” është një moment i veçantë në karrierën e tij.

“Momenti më i mirë i karrierës sime ishte fitimi i Kupës, pasi ishte trofeu im i parë. Kur erdhi trofeu i Kupës më dha shumë besim që të vazhdojë e të tentoj tjerë tituj”, tha fillimisht Enis Zabërgja për ‘GazetaBlic Sport’.

Si çdo lojtar, edhe Zabërgja kishte momente të këqija në futboll. Ai potencon humbjen ndaj Malmos me kombëtaren e Kosovës si një moment tejet negativ.

“Momenti më i keq ishte me kombëtaren e Kosovës kur luanim kundër Malmos. Ishim duke humbur 4-0 dhe Malmo e mbante shumë topin, ne vraponim shumë, ishim mësu në Kosovë të pushonim ngapak kur dilte topi jashtë – por atje nuk funksiononte kështu. Kam vrapu qaq shumë pa top, sa që kur vinte topi – u rrëzojshim menjëherë dhe ishte moment shumë i keq në karrierë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport