Sporti

Luis Enrique e respekton Arsenalin dhe trajnerin Arteta para finales së madhe

05/28/2026 14:42
nga:Mergim Rreci

Luis Enrique ka folur me superlativa për Arsenalin para finales së Champions League, duke theksuar se skuadra angleze reflekton plotësisht filozofinë e Mikel Artetës. Trajneri i PSG-së vlerësoi organizimin, forcën mbrojtëse dhe mentalitetin fitues të “Gunners”.

“Arsenali është një skuadër e ndërtuar mbi imazhin e trajnerit të tij. Reflektojnë në mënyrë perfekte personalitetin e Mikelit”, u shpreh Enrique për faqen zyrtare të UEFA-s.

Spanjolli theksoi se londinezët janë ndër skuadrat më të forta në Europë, sidomos në mbrojtje dhe në goditjet standarde.

“Janë skuadra më e mirë mbrojtëse e Europës prej disa vitesh. Lënë pak hapësira dhe në të njëjtën kohë shënojnë shumë”, shtoi ai.

Luis Enrique bëri edhe një krahasim mes PSG-së dhe Arsenalit, duke thënë se të dyja ekipet kërkojnë të kontrollojnë lojën përmes posedimit të topit.

“Duam të mbajmë topin dhe të shprehemi përmes lojës. Besoj se po flasim për dy skuadra të mëdha në Europë”, deklaroi trajneri parisien.

Në fund ai pranoi se finalja sjell presion, por ndryshe nga sezoni i kaluar ndaj Interit: “Edhe këtë herë ka presion, por lind nga fakti se e ndjejmë se e meritojmë këtë arritje”.

/GazetaBlic Sport/