Lajme

Ymeri: VV po tenton të përsërisë skemën e “ne s’e votojmë, ju bëjeni”

02/01/2026 21:44
nga:Genita C

Analisti politik Visar Ymeri ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po tenton të ndjekë një strategji politike ku shmang përgjegjësinë direkte për vendime të rëndësishme, duke lënë hapësirë që veprimet të kryhen nga të tjerët, ndërsa më pas të paraqitet si pala “më e përgjegjshme”.

Në emisionin “VV Show”, Ymeri tha se një veprim të tillë Vetëvendosje e kishte ndjekur edhe në rastin e certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Vetëvendosja thoshte ‘na nuk e botojmë certifikimin e KQZ’, duke e ditë që ose do ta botojnë këta të tjerët, ndërkohë që këta ishin ma të përgjegjshëm dhe ajo kalon ndërkohë që ne dalim të mirë”, u shpreh Ymeri.

Ai shtoi se sipas kësaj logjike, nëse partitë opozitare do të abstenonin dhe çështja do të përfundonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), atëherë procesi do të mbyllej institucionalisht, ndërsa Vetëvendosje do të përpiqej të përfitonte politikisht nga situata.

“Dhe nëse partitë e tjera opozitare abstenojnë, e dërgojnë në PZAP, PZAP e kthen, puna kryhet mirë edhe dalin thonë ‘na jena kemi qenë të mirë’”, tha Ymeri.

Sipas tij, të njëjtën qasje Vetëvendosje mund të tentojë ta aplikojë edhe në Kuvend, duke mos marrë pjesë në votim dhe duke pritur që të tjerët ta kryejnë procesin.

“Te njëjtën gjë ka me u mundu me bo në Kuvend: ‘na nuk e votojmë, botone ju’”, deklaroi ai.

Megjithatë, Ymeri vlerësoi se në Kuvend kjo strategji është më e vështirë për t’u realizuar, pasi Vetëvendosje ka shumicën dhe nuk mund ta shmangë përgjegjësinë politike për vendimmarrje.

“Po tash e ka të vështirë me bo një gjë të tillë, sepse e ka shumicën. Përndryshe vendi shkon prap në zgjedhje”, përfundoi Ymeri.