Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar mbi situatën aktuale politike në vend dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet partive opozitare dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në emisionin “VV Show” të Vehbi Kajtazit, Ymeri ka theksuar se bashkëpunimi politik bazohet në dy elemente thelbësore, interesin e përbashkët programor dhe besimin për zbatimin e marrëveshjes.
“Në parim janë dy gjëra që ta mundësojnë bashkëpunimin në politikë. Duhet të kesh interes të përbashkët me partitë e tjera, pra pika të përbashkëta programore e konceptuale se çfarë dëshiron të bësh me qeverisjen e përbashkët. Pastaj duhet të ketë besim – që marrëveshja të çojë deri në fund, që je vërtet i angazhuar për atë që jemi marrë vesh në aspektin e funksionimit të qeverisë,” ka deklaruar Ymeri.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, përballet me dy probleme madhore që e bëjnë të vështirë krijimin e koalicioneve të reja politike.
“Në këtë pikë mendoj se Vetëvendosje, veçanërisht Albin Kurti, ka dy probleme madhore. E para, partitë politike – veçanërisht PDK dhe LDK – nuk pajtohen me mënyrën se si Kurti e sheh qeverisjen në Kosovë. Ky dallim ka ekzistuar edhe kur Vetëvendosje ishte në opozitë, por është bërë më i theksuar qëkur ka ardhur në pushtet,” u shpreh ai.
Si çështje të dytë, Ymeri përmendi mungesën e besimit të ndërsjellë midis Vetëvendosjes dhe partive të tjera.
“Secila prej partive, përveç PDK-së, ka pasur bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Vetëvendosjen në etapa të ndryshme,” shtoi ai.


