Lajme

Ymeri: Problematik fakti që Njësia Speciale u bë pjesë e marrëveshjes!

09/30/2021 14:59
nga:M K

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Visar Ymeri, e ka cilësuar problematik faktin që vendimi operativ për praninë e Njësiteve speciale të policisë në pjesën Veriore është bërë pjesë të marrëveshjes me Serbinë

Megjithatë, sipas Ymerit, arritja e marrëveshjes me plane serbe është e mirë.

Në një prononcim për GazetaBlic, ai shtoi se angazhimi ose tërheqja e policisë nga veriu ose gjetiu, asnjëherë nuk duhet të jetë pjesë e asnjë marrëveshje.

“Në parim është mirë që kemi marrëveshje. Substanca e saj mbetet ajo e dakorduar më herët në vitin 2016 që e rregullon mënyrën e përdorimit të targave të regjistrimit gjatë udhëtimit nga Kosova në Serbi dhe nga Serbia në Kosovë.

Në këtë do të sillemi karshi targave të Serbisë ashtu siç sillet ajo karshi targave të Kosovës. Është shumë problematik fakti që vendimin operativ për praninë e Njësiteve speciale të policisë e kemi bërë pjesë të marrëveshjes me Serbinë”, tha fillimisht Ymeri.

Tutje, ai shtoi se përmendja e largimit të policisë në marrëveshje, ka implikime ndaj ushtrimit të sovranitetit, siç mund të ketë edhe efekte juridike rikthimi i KFOR-it në fushën ekzekutive të sigurisë publike.

“Kjo ka implikime negative politike ndaj ushtrimit të sovranitetit. Siç mund të ketë efekte edhe juridike rikthimi i KFOR-it në fushën ekzekutive të sigurisë publike. Në tekstin e bërë publik nga ndërmjetësuesi Lajçak nuk përmenden fare targat ilegale që strukturat paralele i lëshojnë për komunat e Kosovës.

Mbetet e paqartë se si do të trajtohen këto nëse trajtimi do të jetë ndryshe nga ai i dakorduar më 2016″, përfundoi Ymeri.

/GazetaBlic/