Lajme

Ymeri për qeverinë e re: Janë shtuar ministri pa pasur nevojë

02/15/2026 22:14
nga:Genita C

Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar formimin e qeverisë së re duke vënë theksin te zgjerimi i kabinetit dhe mospërputhja me premtimet elektorale të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Ymerit, gjëja e parë që bie në sy është numri i madh i anëtarëve të qeverisë.

Ai theksoi se kjo nuk lidhet me nevojën për mbikëqyrje më të madhe të dikastereve, por me qëndrimet e mëhershme të Kurtit për një numër më të vogël ministrish, të cilat ishin të lidhura me dy aspekte kryesore: rritjen e efikasitetit qeveritar dhe zvogëlimin e mundësive për korrupsion.

“Vetëvendosje ka nisur nga parimi se qytetarëve u duhen më shumë shërbime sociale, pra më shumë gjëra që qeveria i ofron drejtpërdrejt, por kjo nuk nënkupton rritjen e numrit të ministrave dhe pagesën e më shumë pagave,” tha Ymeri në “VV Show”.

Ai sqaroi se qeveria e re përbëhet nga gjithsej 21 anëtarë, përfshirë kryeministrin, dhe vetëm njëri prej tyre është pa portofol, konkretisht Fitim Damka, ndërsa të gjithë ministrat e tjerë kanë resorte të caktuara.

Megjithatë, Ymeri vlerësoi se janë bërë edhe disa riorganizime pozitive në strukturën e qeverisë.

“Mendoj se janë bërë disa riorganizime të mira,” përfundoi ai.