Lajme

Ymeri për deklaratat e Hovenierit: Nuk është lajm i mirë, këtë e ka thënë edhe më herët

02/29/2024 22:02
nga:Sh R

Analisti Visar Ymeri, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hoverier, nuk janë të reja dhe se i ka thënë edhe më herët.

“Janë thënë edhe më herët që ShBA-të, ambasadori Hovenier, dhe i tërë establishmenti që merret me politikën e jashtme të ShBA-ve nuk e shohin Kosovën si partnere, nuk kanë bashkëpunim me Qeverinë e Kosovën”, ka thënë Ymeri.

Sipas Ymerit, një ndër pasojat do të jetë një lloj “abstenimi” që për sa kohë të kemi një Qeveri si kjo aktuale dhe me këtë sjellje, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë fare energji që të merren me Kosovën.

“Nuk është lajm i mirë, edhe pse nuk është i ri, këtë e kemi ditur edhe para dy javëve”, ka thënë tutje analisti, duke shtuar se “rikonfirmimi” i Hovenierit tregon se “punët nuk janë mirë”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se ShBA-ja është e pakënaqur me cilësinë e partneritetit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.