Lajme

Ymeri pas darkës Kurti-Vuçiq: Duket se mundësia e marrëveshjes është shumë larg

05/05/2022 11:19
nga:Astrit Gashi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Visar Ymeri, ka thënë se nga ato pak informata që dolën nga darka e mbrëmshme në Berlin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandës Vuçiq, duket se mundësia e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare është shumë larg.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në një bisedë me Ekonomia Online tha se duket se të dyja palët kanë insistuar në pozicionet e tyre dhe asnjëra prej tyre nuk ka gatishmëri që të futet në një proces që do të rezultonte në një kompromis të dyanshëm për të arritur marrëveshjen përfundimtare.

“Shumë pak ka informata se çka është diskutuar gjatë takimit. Me sa e di unë darka ka zgjatur gati dy orë dhe krejt çka kemi është deklarata e kryeministrit Kurti në të cilën ai thotë që ‘e kemi një mospajtim shtesë me Vuçiqin – çështjen në Ukrainë’. Kjo mendoj se as nuk do të duhej të ishte temë e kësaj darke, sepse të gjithë e dimë se aty janë mbledhur për të diskutuar çështjen në mes të Kosovës- Serbisë, e jo invazionin e Rusisë në Ukrainë”, u shpreh Ymeri.

“Sidoqoftë nga ajo që e deklaro kryeministri pas darkës shihet qartë se mundësia e marrëveshjes është shumë larg”, thekson ai.

“Ajo deklaratë e jep përshtypjen jo që nuk ka përparim, por që jemi aq larg nga marrëveshja, por as nuk pritet në të ardhmen e afërt një marrëveshje e tillë, sepse siç duket të dyja palët kanë insistuar në pozicionet e tyre dhe asnjëra prej tyre nuk ka gatishmëri që të futet në një proces që do të rezultonte në një kompromis të dyanshëm për të arritur marrëveshjen përfundimtare”.Sipas ish-bashkëpartiakut të Kurtit, mbetet të shihet se si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen e afërt dhe cila do të jetët roli i ndërmjetësuesve dhe fascilituesve të procesit të dialogut, jo vetëm sllovakut Miroslav Lajçak që është zyrtarisht fascilitues, por edhe të qendrave të shteteve të mëdha. Washingtoni, Berlini, Londra etj. kanë dhënë një shtysë të re në procesin e dialogut, veçanërisht në kohët e fundit dhe veçanërisht pas invazionit në Ukrainë”, tha Ymeri.