Analisti politik, Visar Ymeri u shpreh për “Front Online” se situata politike në Kosovë mund të ndryshojë vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje humbin shumicën bllokuese në Kuvend.
Sipas Ymerit, nëse VV nuk do të kishte më mundësi për të bllokuar proceset institucionale, Kurti do të detyrohej të ndryshonte qasje.
“Duke e pasur parasysh sjelljen e Kurtit karshi interesit të vendit, mendoj që e vetmja gjë që do ta ndryshonte situatën është nëse partia VV dhe Kurti humbin shumicën bllokuese në Kuvend”, tha Ymeri.
Ai ka thënë se humbja e mundësisë për bllokim do ta detyronte Kurtin të kërkonte marrëveshje me partitë e tjera, në vend të bllokadës.
“Në momentin që nuk ka mundësi bllokimi të vazhdueshëm, Kurti do ta ndryshonte qasjen dhe do të obligohej t’i jepte përparësi kompromisit, marrëveshjes e bashkëpunimit karshi bllokadës e polarizimit”, ka thënë ai.
Ymeri ka paralajmëruar se deri në një ndryshim të tillë, VV do të vazhdojë me të njëjtën qasje.
“Por deri sa të zbresë në këtë nivel të ulëseve në Kuvend, kam drojë që VV do të vazhdojë me këtë avaz. Dhe kështu Kosova rrezikon të shndërrohet në një vend të dështuar”, është shprehur Ymeri.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e reagimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj zhvillimeve politike në Kosovë.
“Mosinteresimi kaq i gjatë i partnerëve tanë ndërkombëtarë për këto zhvillime, mendoj që duhet parë si alarm. Askush nuk po do të merret më me ne”, ka deklaruar Ymeri.


