Showtime

Yll Limani konkurron sivjet për Eurovision?

10/13/2022 15:44
nga:G B

Këngëtari kosovar, Yll Limani, e ka konfirmuar mospjesëmarrjen e tij në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Këngës në RTSh.

Përmes një storie të publikuar në llogarinë e tij të Instagramit, ku numëron afro 600 mijë ndjekës, Limani ka zgjidhur dilemën e shumë përfolur së fundmi, rreth një pjesëmarrjeje të mundshme të tij në këtë kompeticion muzikor.

“Nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH për Eurovision”, ka shkruar ylli i hitit “Buzët e kuqe”, ndërsa ka paralajmëruar edhe një performancë në Tiranë.

5 vjet më parë, Ylli kishte konkurruar në këtë festival me këngën “Shiu”, e cila ishte mes këngëve më të klikuara të atij edicioni. Por, ai dështoi të merrte çmimin e parë, pasi atë e rrëmbeu Linda Halimi me këngën “World”.

Kësisoj, Ylli nuk ishte i përzgjedhuri për ta përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision”.

Artisti vazhdon të mbetet mes yjeve më të kërkuar për koncerte dhe mbrëmje muzikore. I tillë po vazhdon të jetë edhe në lansimin e video projekteve muzikore.

“Alkool” është kënga e fundit nga Yll Limani, të cilën e pati sjell në bashkëpunim me rep artistin nga Shqipëria, Noizy. Aktualisht kënga numëron mbi 40 milionë klikime në platformën e YouTube dhe ishte mes hiteve më të mëdha të sezonit veror të këtij viti.