Sporti

Yll Hoxha: Jemi klub i ri, kalimi në çerekfinale na motivon shumë

02/05/2024 09:59
nga:E K

Këtë fundjavë janë mësuar ekipet çerekfinaliste të Kupës së Kosovës.

Skuadra e Suharekës ishte njëra nga ekipet që siguroi biletën për në çerekfinale pasi mposhti Prishtinën e Re me rezultat 3-1.

Realizatori i këtij dueli, Yll Hoxha në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’ u shpreh i lumtur me golin e realizuar në minutat e fundit të ndeshjes.

Përgatitjet para fillimit të sezonit kanë shkuar shumë mirë. Kemi filluar në Kosovë dhe më pas kemi vazhduar fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, ku mendoj se kushtet e ofruara ishin shumë të rëndësishme për ne.

Fitorja e fundit ishte shumë e rëndësishme, sidomos pasi jemi një klub i ri, vetëm në vitin e parë, dhe kemi arritur në çerekfinale. Ky është një motiv shtesë për ne.

Normalisht, golat janë shumë të rëndësishëm për çdo lojtar, veçanërisht në minutat e fundit. Shpresoj që të vazhdoj të shënoj gola dhe ta ndihmoj ekipin për të arritur objektivat për hyrjen në Superligë“, tha Hoxha për GazetaBlic Sport.

Yll Hoxha deri tani për Suharekën në Ligën e Parë të Kosovës ka shënuar gjithsej 4 gola.