Lamine Yamal po konfirmon gjithnjë e më shumë statusin e një ylli absolut, një nga më të mirët, nëse jo më i miri, në botën e futbollit aktual.
Në gjysmëfinalen Barcelona-Inter 3-3, ai mahniti edhe më tepër: një gol, dy traversa, veprime të klasit të lartë dhe vlerësime të shumta, përfshirë edhe ato të kundërshtarëve. Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, deklaroi: “Një si ai lind çdo 50 vite”.
Në studiot e “Sky Sport”, ky lloj debati ishte i pashmangshëm: A mund ta arrijë nivelin e Messit? Zvonimir Boban u tregua i matur: “Nuk do të arrijë kurrë afër Messit. Kjo nuk do të thotë që nuk është një gjeni i futbollit dhe që nuk mund të arrijë nivelet e Ronaldinhos apo Neymarit.
Megjithatë, Messi dhe Maradona ishin ndryshe, më të shpejtë dhe fizikisht më të fortë. E pastaj, golat… Yamal shënon, po, por Messi realizonte 50 gola në sezon. Kjo është ndjesia ime, por shpresoj të jem gabim, për të mirën e djalit”.
Boban kishte shprehur një vërejtje edhe përpara ndeshjes, gjatë nxehjes: “Do të doja ta shihja më pak ‘fenomen’, me këto flokët e rinj, me pak shpërqendrim, çka e vura re në Kupën e Mbretit. Duhet të kënaqet vetë duke luajtur, por me përgjegjësi”.