Lajme

Xhelal Sveçla iu thirrje sërish qytetarëve të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata për ngjarjen në Deçan

11/27/2021 20:52
nga:Y I

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në Facebook iu ka bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me organet përkatëse nëse kanë ndonjë informatë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Deçan, raporton Gazeta Blic.

Sveçla i ka bërë thirrje gjithashtu dorasit të krimit dhe bashkëpunëtorëve të tij, nëse i njëjti ka patur, që të dorëzohen në polici.

“Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar” shkruan Sveçla në Facebook.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të gjithë bashkërisht jemi të tronditur për vrasjen makabre që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, me ç’rast mbetën të vdekur tre qytetarë tanë. Jam i vetëdijshëm për ankthin që e përjetoni të gjithë, e veçanërisht familjet e viktimave, që presin me padurim kapjen e vrasësit dhe vendosjen e drejtësisë.

Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet.

Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës. Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve.

Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar.