Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet t’u besojnë ndërkombëtareve sa i përket Asociacionit. Haliti ka thënë se ambasadori e përfaqësuesit tjerë nuk bëjnë deklarata për ta mashtruar Kosovën, raporton EO.
Duke komentuar takimin e djeshëm për Asociacionin, Haliti ka thënë se situata është shumë serioze, teksa ka thënë se për këtë çështje po bëhet një “betejë analfabetësh”.
Ai shtoi se Asociacioni duhet të nënshkruhet pasi Kosova ka garanci nga BE dhe SHBA-ja që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Akoma nuk e kemi parë një drafte zyrtarë. Sa i përket ftesës të gjitha partitë kanë pasur ftesa, PDK ka dërguar përfaqësues të partisë por nuk kanë shkuar kryetari i partisë. Sa i përket Asociacionit, është mendimi i imi, unë nuk kam luftë politike kur është në pyetje Kosova. Ne kemi një situatë shumë serioze, kemi një betejë të analfabetëve politikë që nuk marrin vesh nga politika”, tha ai.
“Pa një marrëveshje e cila shtensionon raportet mendoj që është vështirë të ecim përpara. Bazuar edhe në atë që kamë prirje nga përvoja e kaluar të ju besoj amerikanëve në atë që thonë, po besoj që nuk ka nevojë të mos nënshkruhet marrëveshja dhe të mos bëhet statuti i Asociacionit në përputhje më atë që kanë thënë Escobar dhe ambasadori i Amerikës që Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Unë besoj që as ambasadori as përfaqësuesit e tjerë nuk bëjnë deklarata për të na mashtruar”, tha ai.
Ai tha se Kurti ka injoruar takimin e djeshëm në Ambasadën Amerikane dhe se për Asociacionin do të duhej të bisedohej me institucionet shtetërorë.
“Qeveria e Kosovës duke përfshirë Kurtin e injorojë takimin e djeshëm, nuk ka tentativë për të bashkëbiseduar brenda institucioneve. Institucioni i parë që do të duhej të diskutohej është Parlamenti. Duhet të binden që duhet me ecë për para, duhet të anëtarësohemi në BE. Pengesat të vetë vetës jemi ne nuk është dikush tjetër”, tha ai.
Kurti: Asociacioni njëetnik nuk është i mundshëm