Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se dialogu me Serbinë nuk është vetëm problem i qeverisë. Në partinë opozitare thonë se çështja e asociacionit është pengesa më e madhe për secilin që e negocion. Sipas tyre, duhet të gjendet një formulë e pranueshme për palët, që dialogu të jetë i suksesshëm, shkruan Gazeta Blic.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë për ‘Gazeta Blic’ se çështja e asociacionit është pengesë e madhe. Por, sipas tij, Kosova duhet të bie në ‘ujdi’ të brendshme, në mënyrë që të mos ketë dilema se çfarë mund të nënshkruhet dhe çfarë jo.
“Kjo çështje nuk është vetëm problem i qeverisë, por është problem që ka ta bëjë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për asociacionin dhe kjo është pengesa më e madhe për secilin që e negocion. Sidoqoftë, mendoj që ne duhet të bimë në ujdi se çfarë mund të pranohet në negociata dhe çfarë jo” , tha ai.
Sipas tij, “së pari duhet një ujdi e brendshme në mes strukturave politike, pra institucioneve të Kosovës, që të mos ketë dilema se çfarë mund të nënshkruhet dhe çfarë jo, për faktin se secili që nënshkruan sot një marrëveshje të tillë, kurdo qoftë ai e ka karrierën e humbur, sepse në rrethanat që bëhet politika në Kosovë është shumë e lehtë që të quhet tradhtar, që ti e shite e bëre”.
“Në anën tjetër ne kemi një problem shumë të madh të cilin e kemi shkaktuar vet, duke mos e trajtuar problemin paraprakisht në Gjykatën Kushtetuese. Është nënshkruar diçka që e ka kontestuar Gjykata Kushtetuese, kemi çështjen e deklarimeve publike të BE-së dhe ShBA-së për ta njohur dhe zbatuar këtë marrëveshje dhe kjo është themra akilit, është një problem shumë i madh me të cilin ka me u ballafaqu qoftë kjo qeveri, qoftë ajo që vjen pas saj”, thotë Haliti.
Megjithatë, deputeti thotë se PDK-ja mbështet dialogun. Sipas tij, duhet të shtensionohet situata në rajon dhe të punohet për integrim të përbashkëta në BE.
“Ne dialogun e mbështesim sepse mendojmë që duhet bërë dialog, të shtensionohet situata në rajon, duhet të punojmë të gjithë për integrime të përbashkëta në BE, pra duhet te gjendet një formulë e pranueshme për palët që dialogu të jetë i suksesshëm”, thotë ai.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 7 dhjetor, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.
Në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.
Megjithatë, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.
“Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që janë arritur në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit.
“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.
/Gazeta Blic
Shaqir Totaj ‘peng’ i LDK-së në Prizren, e Përparim Rama ‘peng’ i PDK-së në Prishtinë