Ish deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka publikuar dokumentet e 16 kontratave njëburimore të nënshkruara nga Qeveria Kurti vetëm për periudhën dimërore, për 6 muaj.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, tha se kjo qeveri e ka bërë trend nënshkrimin e kontratave njëburimore, derisa për 5 vite janë nënshkruar afër 3 mijë të tilla nga kjo qeveri.
“Në Kosovë është bërë një trend i kontratave njëburimore. Realisht në këtë qeveri për 5 vjet janë nënshkruar afër 3 mijë kontrata njëburimore. Këto kontrata janë që nuk janë në konkurrencë të hapur, në të cilat thirret një kompani, negociohet një çmim apo komplet kontrata dhe normalisht që kjo e jep përveç një shije të keqe, seps krijon hapësirë për dyshime dhe çmimet janë në favor të kompanive dhe jo të institucioneve. Nga këto kontrata njëburimore unë i kam 16 prej tyre që janë bërë tani për mirëmbajtjen dimërore, për 6 periudhë 6 mujore, thuajse nuk e kemi ditur se do të vije dimri”, ka thënë ai.
Xhaferi ka theksuar se këto 16 kontrata kushtojnë 10 milionë euro nga taksat tona.
“Vetëm 16 kontrata të tilla për mirëmbajtjen dimërore, vendit i kushtojnë 10,675,801 euro nga taksat tona. Kjo kushton 60,000 euro në ditë, 41 euro në minutë dhe 0.70 centë në sekondë, pra këto janë kontratat njëburimore. Çdo sekondë, qytetarët po i kushton 0.70 cent për kontrata që nuk janë nënshkruar në konkurrencë. Kjo tregon qartë se një papërgjegjshmëri tjetër të kësaj Qeverie në shkuarje”, ka deklaruar Xhaferi.
Ai këto konrtata njëburime të nënshkruara gjatë qeverisë Kurti, i quan praktikë të keqe dhe thotë se nuk kanë ndodhur asnjëherë në Kosovë të ketë një numër aq të lartë të tyre./Gazeta Blic/


