Krenar Xhaferi, kandidat për deputet nga LDK, me numër 32, ka thënë se fushata ka qenë e jashtëzakonshme.
Në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se kryeministri Kurti ka përdorur gjuhë përçarëse dhe e ashpër, kjo pasi LDK është ngritur në këmbë.
“Unë e kam shijuar gjithë fushatën zgjedhore të LDK-së. Ka qenë fushatë e jashtëzakonshme, frymë e jashtëzakonshme, frymë e jashtëzakonshme në drejtim të LDK-së, është e kuptueshme tërë kjo frymë për shkak të zhgënjimit të qytetarëve nga mospuna dhe diskursi përçarës i kryeministrit Kurti dhe normalisht që LDK I ka bërë të gjitha përgatitjet, reformat e thella me një ekip jashtëzakonisht të mirë dhe kjo frymë po vërehet në çdo cep të Kosovës. Andaj tubimet kanë qenë jashtëzakonisht të mira dhe fushatat më të mira ku kam marrë pjesë. Pjesa e dënimeve janë të kuptueshme në fushata. Gjuha e ashpër që e përdor kryeministri është e kuptueshme sepse e ka parë se ku është edhe në bazë të sondazheve që tashmë LDK është ngritur në këmbë, të gjithë rugovistët që ta dënojnë dhe t’ia japim një frymë evropiane Kosovës sepse Kosova është në krizë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kjo më jep shpresën dhe besën se LDK do të jetë e para në zgjedhje, me Z.Abdixhikun kryeministër”, ka thënë ai.
Duke komentuar deklaratat e Kurtit për opozitën, Xhaferi ka thënë se një lider që nuk sheh perspektivë më të madhe për Kosovën e përdor një gjuhë të tillë, teksa kujton se Presidenti Rugova bënte thirrje që të votohen të gjitha partitë.
“Një lider i cili bashkon, i cili e sheh në perspektivë më të madhe Kosovën dhe më të mirë nuk i përdor këto gjuhë. E kemi pasur presidentin Rugova që ka bërë thirrje që të votohen të gjitha partitë sepse kjo është demokraci. Kryeministri është person i cili ka përçarë. I ka përçarë edhe kryeministrat shqiptarë dhe ne edhe marrëdhëniet me Shqipërinë nuk I kemi të mira. Mendoj se logjika që përdor ai nuk është e mirë për perspektivën e Kosovën dhe dënimi vjen karshi kësaj logjike”, është shprehur ai.
E gjithë gjuha e ashpër dhe ofenduese ndaj opozitës nga Kurti, sipas Xhaferit është për shkak se ai po e sheh fundin e tij.
“Po e sheh fundin e tij, po e sheh që në investime jemi zero, nuk kemi asnjë njohje, në çdo fushë kemi regres dhe jo progres. Unë kam besim në këtë popull sepse ka ditur ta vlerësojë kur dikujt ia ka dhënë shansin dhe ka ditur të ndëshkojë kur nuk është punuar”, ka theksuar kandidati për deputet nga LDK./Gazeta Blic/


