Krenar Xhaferi, kandidat i LDK-së për deputet ka shpjeguar se kostoja e ndërtimit të unazës së kryeqytetit, prej 350 milionë euro, është e barabartë me humbjet që shkaktohen nga trafiku i ngarkuar në Prishtinë, raporton GazetaBlic.
Ai ka ilustruar me një kalkulim se, nëse 140,000 vetura hyjnë në kryeqytet çdo ditë dhe secila shpenzon 2 litra naftë për shkak të koloneve, qyteti humbet 355,600 euro çdo ditë nga shpenzimet e naftës, duke arritur një shifër prej 85 milionë euro për vit. Kjo shumë, sipas tij, është e barabartë me koston e ndërtimit të unazës.
Xhaferi ka kritikuar qeverinë aktuale për mos arritjen e një marrëveshjeje për garancinë e kredinë për këtë projekt, dhe ka theksuar se LDK-ja do të nënshkruajë garancinë brenda javës dhe do të sigurojë 100 milionë euro për shpronësimet e tokave që përfshihen në projektin e unazës.
Postimi i plotë:
Një matematikë e thjeshtë na tregon se kostoja e ndërtimit të unazës së kryeqytetit, me vlerë 350 milionë euro, ku përfshihet edhe shpronësimi, është e barabartë me një kalkulim si ky më poshtë:
140 mijë vetura hyjnë në Prishtinë brenda ditës. Në mungesë të unazës së kryeqytetit, krijohen kolona të panevojshme, ku vetëm, nëse secila veturë shpenzon 2 litra naftë për shkak të trafikut të ngarkuar, pa llogaritur veturat që qarkullojnë brenda Prishtinës, e që janë në numër të ngjashëm, dalim në këtë kalkulim:
140,000 vetura x 2 litra = 280,000 litra
280,000 litra, nëse shumëzohet me çmimin e derivateve prej 1.27 euro/litër, rezulton në: 355,600 euro.
355 mijë euro, nëse shumëzohet me 20 ditë të ngarkuara gjatë muajit, arrin në: 7,112,000 euro. Nëse këtë shifër e shumëzojmë për 12 muaj, arrijmë në: 85,344,000 euro.
Për një mandat qeverisës 4-vjeçar, kjo shumë arrin në: 341 milionë euro, po aq sa kostoja e ndërtimit të unazës së kryeqytetit.
Qeveria aktuale, për dy vjet, nuk ka arritur të nënshkruajë garancinë për kredinë e unazës së kryeqytetit, ku 60 milionë euro janë donacion. Kjo kredi është e planifikuar të paguhet nga Komuna e Prishtinës.
Në qeverinë tonë, brenda javës do të nënshkruhet garancia për kredinë e unazës së kryeqytetit, dhe 100 milionë euro do të mbulojnë koston e shpronësimeve për tokat që përfshihen në këtë projekt.